
Napoli po hyn në një fazë vendimtare për të ardhmen e pankinës së skuadrës, ndërsa largimi i Antonio Conte-s në fund të sezonit tashmë konsiderohet i sigurt. Presidenti Aurelio De Laurentiis ka nisur menjëherë lëvizjet për të gjetur zëvendësuesin e trajnerit italian, met synimin për të mos humbur kohë në ndërtimin e projektit të ri sportiv.
Sipas raportimeve nga Italia, emri që kryeson listën e Napolit është Maurizio Sarri. Trajneri toskan pritet të largohet nga Lazio, edhe pse fillimisht duhet të zgjidhet situata kontraktuale që e lidh me klubin bardhekaltër deri në vitin 2028. Napoli i ka paraqitur Sarrit një ofertë konkrete për një kontratë dyvjeçare me vlerë rreth 2.5 milionë euro në sezon.
Për Sarri-n interesohet gjithashtu edhe Atalanta. Klubi bergamask, që po përgatitet për një ndryshim të rëndësishëm në strukturën sportive, e konsideron trajnerin italian si profilin ideal për projektin e ri. Në këtë operacion rol të rëndësishëm po luan edhe Cristiano Giuntoli, i cili pritet të marrë drejtimin sportiv të klubit zikaltër. Kjo situatë ka krijuar një duel të drejtpërdrejtë mes Napolit dhe Atalantës për trajnerin 67-vjeçar.
Megjithatë, De Laurentiis nuk dëshiron të mbetet i papërgatitur dhe paralelisht po punon edhe për një alternativë tjetër me peshë në futbollin italian. Bëhet fjalë për Massimiliano Allegri-n, një nga trajnerët më të vlerësuar nga presidenti i Napolit. Sipas mediave italiane, kontaktet e para kanë nisur dhe trajneri livornez nuk e ka përjashtuar mundësinë e një transferimi në Napoli.
Operacioni për Allegri-n mbetet më kompleks për disa arsye. Trajneri ka aktualisht një kontratë me Milanin dhe përfiton rreth 5 milionë euro neto në sezon. Për më tepër, marrëveshja e tij me klubin kuqezi mund të rinovohet automatikisht edhe për një vit tjetër në rast se Milani siguron kualifikimin në Champions League. Kjo do të thotë se vendimi final nuk varet vetëm nga Allegri, por edhe nga drejtuesit e Milanit, të cilët po kalojnë një periudhë ndryshimesh në nivel drejtues.
Pavarësisht vështirësive, pista Allegri mbetet konkrete dhe mund të marrë zhvillime të shpejta nëse krijohen kushtet e duhura mes palëve. Napoli po vlerëson me kujdes çdo mundësi për të shmangur vonesat në planifikimin e merkatos dhe organizimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Klubi napolitan synon të nisë një cikël të ri pas periudhës së Antonio Conte-s, i cili gjatë qëndrimit të tij në stol arriti të fitonte titullin kampion dhe Superkupën e Italisë. Ndryshimet në pankinë pritet të shoqërohen edhe me një rindërtim të skuadrës, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë ekonomik.
Në këtë moment, fokusi i drejtuesve mbetet zgjedhja e trajnerit të ri. Maurizio Sarri dhe Massimiliano Allegri konsiderohen dy kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Napolit, ndërsa ditët në vazhdim pritet të jenë vendimtare për përcaktimin e trajnerit që do të udhëheqë skuadrën në sezonin e ardhshëm.






