
Kombëtarja shqiptare dhe trajneri Maran janë duke vëzhguar dy talente shqiptarë në futbollin zviceran.
Bëhet fjalë për Krasniqin dhe Dalipin, të cilët trajneri i ka ndjekur nga afër.
Ndeshja midis Vaduzit dhe Grasshopper këtë fundjavë në Superligën e Zvicrës kishte disa vizitorë të veçantë në tribunën kryesore. Sipas medias “Blik”, në stadium ndodhej një delegacion i FSHF-së. Motivi ishte i qartë: Në fushë ishin dy shqiptarë, Samuel Krasniqi dhe Lutfi Dalipi, të cilët mendohen si alternativa për skuadrën U-21.
Interesant është fakti se të dy lojtarët ishin të grumbulluar me Kombëtaren U-21 të Zvicrës gjatë pauzës së fundit të ndeshjeve ndërkombëtare. Kjo ka rikthyer diskutimet për zgjedhjen e kombëtares që do të përfaqësojnë në të ardhmen.
Krasniqi, 21 vjeç, është pjesë e Grasshopper dhe luan si mesfushor krahu, teksa këtë sezon ka shënuar 5 gola dhe 4 asiste. Ndërkohë, Lutfi Dalipi, 20 vjeç, është një nga talentet e Vaduzit dhe regjistron 6 gola dhe 9 asiste si mesfushor me tipare sulmuese.
Të dy trajnerët e tyre kanë folur duke shpjeguar se është normale që për ta të ketë interes, duke parë performancën që kanë dhënë në fushë këtë sezon.
Për momentin, Samuel Krasniqi dhe Lutfi Dalipi nuk kanë vendosur ende se cilën kombëtare do të përfaqësojnë, por prania e delegacionit të FSHF-së në stadium tregon se Shqipëria po i ndjek nga afër dy talentët.
Se cili do të jetë vendimi i tyre mbetet për t’u parë.
Ekipi Shpresa do të luajë dy miqësore me Luksemburgun më 13 nëntor dhe 4 ditë më vonë kundër Spanjës në Arenën Kombëtare.
Burimi: Blick







