
Shtanget Ilir Daja, mbetet dënimi për trajnerin e Dinamos
Ilir Daja do të duhet të presë ende për t’u rikthyer në stol te Dinamo. Trajneri kryeqytetas nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen e radhës ndaj…
Ilir Daja do të duhet të presë ende për t’u rikthyer në stol te Dinamo. Trajneri kryeqytetas nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit, duke mos pasur mundësinë të drejtojë skuadrën e tij në një prej përballjeve më të veçanta të sezonit.
Kjo pasi kërkesa e Dinamos për të konvertuar pjesën e mbetur të pezullimit në gjobë është rrëzuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Daja u dënua disa javë më parë nga Komisioni i Disiplinës me pesë ndeshje pezullim, pas episodeve të ndodhura në derbin ndaj Tiranës.
Në atë takim, tekniku i bluve pati reagime ndaj zyrtarëve të ndeshjes, duke u ndëshkuar për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të takimit. Vendimi i Disiplinës ishte pesë ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Megjithatë, rregullorja parashikon mundësinë që pjesa e mbetur e një dënimi të tillë të konvertohet në gjobë, në rast se personi i dënuar ka shlyer më parë gjysmën e pezullimit.
Pikërisht te kjo pikë është mbështetur edhe Dinamo, e cila ka kërkuar që Daja të falet për ndeshjen e radhës dhe të ketë mundësinë të rikthehet në stol. Por kërkesa e klubit nuk është pranuar nga FSHF, pasi trajneri nuk ka përmbushur ende kushtin e shlyerjes së gjysmës së dënimit. Daja ka shlyer deri më tani dy ndeshje pezullim dhe, për rrjedhojë, nuk mund të përfitojë ende nga mundësia e konvertimit të pjesës së mbetur në gjobë.
Kujtojmë se vendimi ndaj trajnerit të Dinamos erdhi pas derbit me Tiranën, ku Ilir Daja reagoi ashpër ndaj arbitrimit të Enea Jorgjit, duke akuzuar gjyqtarin për favorizim të bardhebluve. Pas këtyre episodeve, Komisioni i Disiplinës vendosi ta ndëshkonte me pesë ndeshje pezullim. Në bazë të këtij vendimi, trajneri ka humbur tashmë dy takime dhe do të duhet të qëndrojë jashtë edhe në sfidën ndaj Elbasanit. Një mungesë që merr një vëmendje të veçantë edhe për shkak të historisë familjare, pasi përballë Dinamos do të jetë Elbasani, skuadra e cila drejtohet nga djali i tij, Gleni.
Kështu, Daja nuk do të ketë mundësinë të jetë në stol përballë të birit në këtë përballje, duke e bërë edhe më të veçantë mungesën e tij. Rikthimi i Ilir Dajës pritet të vijë vetëm pasi të plotësohen kushtet e parashikuara nga rregullorja për konvertimin e pezullimit në gjobë ose pas shlyerjes së plotë të dënimit. Për momentin, kërkesa e parë e klubit nuk ka marrë përgjigje pozitive dhe trajneri do të jetë sërish i detyruar ta ndjekë skuadrën jashtë stolave dhe me shumë gjasa, do të rikthehet ndaj Partizanit javën e ardhshme.
Burimi: Vetem Sport
Lajmet sportive më të shpejta direkt në rrjetet tuaja.





