
Nuk ka qetësi në Kategorinë e Parë, vazhdon largimi i trajnerëve
Kategoria e Parë ka mbyllur një të tretën e rrugëtimit të sezonit 2026-2027, ndërsa gara për dy biletat e ngjitjes direkte në Superiore po bëhet gjithnjë…
Kategoria e Parë ka mbyllur një të tretën e rrugëtimit të sezonit 2026-2027, ndërsa gara për dy biletat e ngjitjes direkte në Superiore po bëhet gjithnjë e më e fortë.
Për momentin, diferencat në pjesën e sipërme të renditjes janë shumë të ngushta, pasi shtatë skuadrat e para ndahen nga vetëm katër pikë. Një kampionat i luftuar, ku çdo rezultat ka peshë të veçantë dhe ku objektivat mbeten të hapura për një numër të madh ekipesh. Por përveç rivalitetit në fushën e lojës, 11 javët e para kanë sjellë edhe lëvizje të shumta në pankina.
Gjysma e skuadrave kanë përjetuar ndryshime në drejtimin teknik, duke e kthyer këtë kampionat në një sezon të trazuar edhe për trajnerët. Deri tani, gjashtë klube kanë vendosur të ndryshojnë drejtuesin e pankinës, në përpjekje për të përmirësuar rezultatet dhe për të gjetur rrugën drejt objektivave.
Lëvizjet nisën te Besëlidhja, ku Elvis Plori u largua nga drejtimi i skuadrës dhe vendin e tij e mori Klevis Hima. Ky i fundit më pas kaloi në rolin e zëvendëstrajnerit, pas emërimit të Mirel Josës. Në Lezhë, brenda pak javësh, pankina përjetoi kështu dy ndryshime të rëndësishme.
Ndryshime pati edhe te Oriku, ku Shpëtim Idrizaj u largua dhe drejtimin e skuadrës e mori Gerd Haxhiu. Ndërkohë, pas largimit të Samuel Nikajt, Burreli ia besoi pankinën Klevis Dalipit, me synimin për të ndryshuar ecurinë e rezultateve.
Në javën e dhjetë, radhën e kishte Pogradeci. Emiljano Çela u largua nga drejtimi i liqenorëve dhe vendin e tij e zuri Dritan Mehmeti. Një tjetër lëvizje u regjistrua te Kastrioti, ku Ramazan Ndreu dha dorëheqjen dhe u zëvendësua nga ish-kapiteni i skuadrës, Sokol Neziri.
Lëvizja e fundit erdhi në Librazhd. Pas humbjes 0-2 në shtëpi ndaj Korabit, në ndeshjen e javës së 11-të, Rraman Hallaçi dha dorëheqjen nga drejtimi i Sopotit. Klubi reagoi shpejt, duke ia besuar skuadrën Lorenc Pashjes.
Kështu, në vetëm 11 javë kampionat, gjashtë skuadra kanë ndryshuar trajnerët, ndërsa Besëlidhja kryeson listën për numrin e lëvizjeve në pankinë. Një tjetër tregues i presionit dhe i rivalitetit të fortë që karakterizon këtë sezon të Kategorisë së Parë, ku rezultatet e menjëhershme po ndikojnë drejtpërdrejt në fatin e trajnerëve.
Burimi: Vetem Sport
Lajmet sportive më të shpejta direkt në rrjetet tuaja.





