
Partizani “përplaset” me FSHF-në, dënimi nuk hiqet për të kuqtë
Vazhdon përplasja mes Partizanit dhe komisioneve juridike të FSHF-së për çështjen e futbollistit të ri Jon Çaushi. Bëhet fjalë për një nga ato…
Vazhdon përplasja mes Partizanit dhe komisioneve juridike të FSHF-së për çështjen e futbollistit të ri Jon Çaushi. Bëhet fjalë për një nga ato problematika që kanë shtuar tensionet mes palëve, veçanërisht në futbollin e moshave, ndërsa në marrëdhëniet e tjera nuk janë evidentuar përplasje të ngjashme.
Në qendër të debatit është lojtari i Partizanit U-18, Jon Çaushi, për të cilin Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka marrë tashmë katër herë të njëjtin vendim. Edhe në mbledhjen e djeshme, kërkesa e futbollistit është rrëzuar si e pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës, madje kësaj radhe nuk i pranohet as konvertimi i dënimit. I njëjti qëndrim ishte mbajtur edhe në mbledhjet e 27 gushtit, 22 tetorit dhe 5 nëntorit ku nuk u pranua amnistia.
Kujtojmë se më 15 maj, ndaj Çaushit ishte dhënë masa e pezullimit me tetë ndeshje nga aktiviteti. Ajo që e bën edhe më të diskutueshme këtë çështje është fakti se gjatë periudhës së pezullimit, futbollisti është aktivizuar me ekipin U-19 në kompeticionet europiane, ndërsa nuk mund të luajë në kampionatin vendas.
Sipas pretendimeve të Partizanit, një tjetër element që ngre pikëpyetje lidhet me mundësinë e rikthimit në fushë pas shlyerjes së gjysmës së dënimit, kundrejt pagesës së gjobës përkatëse. Por këtu qëndron edhe paradoksi që kundërshtojnë të kuqtë, pavarësisht se bëhet fjalë për një futbollist të moshave, që aktivizohet në nivel amator, atij i kërkohet të paguajë të njëjtën gjobë si lojtarët profesionistë të Kategorisë Superiore, konkretisht 1 milion lekë për çdo ndeshje.
Por nuk është pranuar as ky kusht. Kështu, çështja Çaushi vijon të mbetet një mollë sherri mes Partizanit dhe strukturave disiplinore të FSHF-së, ndërsa katër vendimet e përsëritura të Komisionit të Disiplinës nuk kanë arritur ta mbyllin përplasjen.
Burimi: Panorama Sport
Lajmet sportive më të shpejta direkt në rrjetet tuaja.





