
Brajan Gruda zgjodhi Gjermaninë para Shqipërisë, presidenti Duka zbardh prapaskenat
Duka zbuloi prapaskenat për Brajan Grudën, që refuzoi Shqipërinë për Gjermaninë.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për televizionin “Top Channel”. Ai ka folur për zhvillimet më të rëndësishme të futbollit shqiptar, ecurinë e ekipeve Kombëtare dhe sfidat që ka përpara sporti në vendin tonë.
Duka zbuloi gjithashtu edhe prapaskenat për Brajan Grudën, që refuzoi Shqipërinë për Gjermaninë.
– President, vendi i parë në Ligën e Kombeve. A ishte një provim i kaluar me sukses? Duhet ta konsiderojmë një arritje të madhe apo thjesht përmbushje të objektivit që kishim?
– Unë do ta konsideroja një edicion të suksesshëm dhe realizim të objektivit. Në fund të fundit, ky ishte synimi ynë: të renditeshim në vendin e parë. A ishte një objektiv i vështirë apo shumë i vështirë? Mendoj se, siç rezultoi, ishte i realizueshëm. Megjithatë, për ta arritur nevojitet punë dhe përkushtim nga të gjithë.
Dua të falënderoj në radhë të parë futbollistët për përkushtimin gjatë këtij edicioni, stafin dhe të gjithë tifozët. Duhet t’i falënderojmë veçanërisht tifozët, të cilët e kanë mbështetur ekipin edhe në një kompeticion që më parë nuk ka qenë shumë i ndjekur dhe në ndeshje që në Shqipëri konsideroheshin jo shumë të rëndësishme.
Po rikujtoj ndeshjen me San Marinon. Mendonim se tifozët mund të zhgënjeheshin nga loja dhe rezultati, por ata e mbështetën ekipin deri në fund, derisa erdhi rezultati.
Pra, objektiv i realizuar. Nuk do ta konsideroja një sukses të jashtëzakonshëm, por një objektiv të përmbushur. Sigurisht, ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë. Mendoj se mund të kishte pasur më shumë aktivizim të futbollistëve të rinj, me më pak eksperiencë, në mënyrë që të kishim një numër më të madh alternativash për kualifikueset e Europianit.
– Një emër që ka bërë bujë është Brajan Gruda, futbollisti me origjinë shqiptare që është aktivizuar me Gjermaninë. A ka pasur tentativa nga Shqipëria për ta afruar, ashtu siç kemi bërë edhe me lojtarë të tjerë?
– Kualiteti i Brajan Grudës nuk ka nevojë për koment nga ana ime. Është një futbollist me shumë cilësi, i cili ka spikatur prej kohësh në kombëtaret e moshave të Gjermanisë. Ka luajtur me U19, U21 dhe madje edhe kundër Shqipërisë në një ndeshje miqësore.
Padyshim që, duke qenë shqiptar me prindër shqiptarë, pavarësisht se ka lindur në Gjermani, kemi pasur shumë dëshirë ta kishim në skuadrën tonë. Kemi provuar, por zgjedhja e tij ka qenë Gjermania dhe tashmë ky është një kapitull i mbyllur.
Ai është paraqitur me Gjermaninë dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese në karrierën e tij sportive.
– Pra, Shqipëria e ka kontaktuar që më herët, jo vetëm tani pas paraqitjeve të fundit?
– Po, po. Në çdo kohë i kemi ofruar mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë, por vendimi i tij ka qenë që të luajë për Gjermaninë.
Lajmet sportive më të shpejta direkt në rrjetet tuaja.





