
Partizani merr vendimin, afrime me peshë për të kuqtë
Partizani në janar do të ndryshojë fytyrë. Ose të paktën kështu beson klubi. Të kuqtë do të kenë një skuadër ndryshe, ndërsa nga drejtuesit jo zyrtarisht…
Partizani në janar do të ndryshojë fytyrë. Ose të paktën kështu beson klubi. Të kuqtë do të kenë një skuadër ndryshe, ndërsa nga drejtuesit jo zyrtarisht pranohet se plani i verës dështoi. Ideja e afrimeve të pakta dhe mbështetja te grupi që kishte ka rezultuar një “fiasko”.
Partizani do të ndryshojë nga janari. Klubi ka vendosur që të hyjë fuqishëm në merkato dhe të plotësojë skuadrën me emra cilësorë. Ashtu siç ka kërkuar edhe Karoglan këto kohë, skuadra duhet të rikuperojë deri në vendin e gjashtë dhe më pas, me përforcimet që do të bëhen të synojë për më lart. Për momentin, janë tre objektivat e mundshëm dhe më realë. Fitimi i Kupës së Shqipërisë, qëndrimi në kategori dhe gjashtëshja e parë janë objektivat e prekshëm. Gjithsesi, Partizani nuk duhet të dekurajohet.
Trajneri i Partizanit, Mislav Karoglan, ka kërkuar me ngulm nga skuadra fitoren në ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë. Për “Demat”, kjo nuk është thjesht një përballje e radhës në kampionat, por një sfidë me peshë të veçantë, duke parë pozicionin që skuadra mban aktualisht në renditje. Objektivi kryesor është i qartë. Tri pikët dhe largimi nga vendi i fundit, siç kërkon klubi. Të kuqtë kanë nevojë për një reagim të menjëhershëm dhe një rezultat pozitiv do t’u jepte mundësinë të ndryshonin pozicionin në tabelë.
Në rast fitoreje ndaj Vllaznisë, Partizani do të parakalonte shkodranët dhe do të linte pas vendin e fundit, duke marrë frymë më lirshëm në një moment delikat të sezonit. Për Karoglanin, sfida kërkon përqendrim maksimal dhe një tjetër qasje nga skuadra. Trajneri kroat kërkon që lojtarët të tregojnë karakter. Një fitore do të ishte e vlefshme jo vetëm për renditjen, por edhe për moralin e grupit, pasi Partizani do të mund të niste një fazë të re të kampionatit me më shumë besim. Fakti që shkodranët janë një prej skuadrave që Partizani synon të lërë pas e kthen ndeshjen në një duel të drejtpërdrejtë për pozicionin në tabelë.
Për këtë arsye, tri pikët do të kishin vlerë të dyfishtë për “Demat”. Partizani e di se një tjetër hap fals do ta komplikonte edhe më shumë situatën. Në këtë moment, skuadra nuk kërkon vetëm një paraqitje të mirë, por rezultat konkret. Karoglan u ka kërkuar të tijve të jenë agresivë, të përqendruar dhe të luftojnë për fitoren deri në fund, pasi objektivi është që pas kësaj ndeshjeje të mos jenë më në fundin e renditjes siç do të jetë në 7 takimet e mbetura. Sfida me Vllazninë është shansi i parë për “Demat” që të nisin kthesën dhe të tregojnë se vendi i fundit është vetëm një pozicion i përkohshëm.
Burimi: Vetem Sport
Lajmet sportive më të shpejta direkt në rrjetet tuaja.





