
Sfida mes Burrelit dhe Kastriotit solli pamje të turpshme në javën e parë të Kategorisë së Parë. Për këtë Komisioni i Disiplinës dhe Etikës mori disa masa.
Janë dënuar lojtarët Igli Rrapi dhe Fabio Hasa. Po ashtu trajneri Ramadan Ndreu dhe zyrtari Gazmend Vogli nga Kastrioti.
Kujtojmë se sfida mes Burrelit dhe Kastriotit u ndërpre në minutën e 67-të, kur Fabio Hasa u konfliktua me një tifoz në stadiumin “Liri Ballabani”.
Gjyqtari tregoi kartonin e kuq për Hasën dhe po ashtu trajnerin Ramadan Ndreu te Kastrioti. U nevojit ndërhyrja e policisë, ndërsa pati edhe përpasje fizike.
Ndeshja qëndroi e ndërprerë për rreth 5 minuta. Rezultati përfundimtar ndërkohë ishte 2 me 2.
Vendimet e publikuara nga FSHF:
- KF Burreli, për mosmarrjen e masave të nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, të cilët kanë hedhur sende në fushën e lojës, duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe të lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 17/1, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Në bazë të nenit 76/1/a të KDE, gjoba aplikohet në masën 50%.
- Lojtari i KF Burreli, Igli Rrapi, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- Zyrtari i KS Kastrioti, Ramadan Ndreu, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- Zyrtari i KS Kastrioti, Gazmend Vogli, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë, duke hyrë në fushën e lojës në mënyrë të paautorizuar dhe të parregullt, në bazë të nenit 13/2/a të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i KS Kastrioti, Fabio Hasa, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe provokim të spektatoreve, në bazë të neneve 13/2/a dhe 14/1/f të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.






