
Vllaznia është e detyruar të reagojë. Shkodranët ende nuk e kanë provuar shijen e fitores në 4 javët e para dhe momentalisht e shikojnë veten në pozita shumë të vështira në klasifikim. Vetëm 2 pikë dhe vendi i fundit, janë një “sirenë alarmi” për “djemtë” e Edi Martinit, të cilët nuk po dinë të “ngrenë kokë” nga mungesa e rezultateve.
Këtë herë, kalendari i Superiores e vendosë Vllazninë përballë Teutës, skuadra që mban “fronin” e klasifikimit në këto momente. Forma e tyre mbresëlënëse, shoqëruar me performancat në fushë, 8 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar, janë të dhëna që nuk duhen nënvlerësuar në kampin shkodran, por në anën tjetër, mund të konsiderohen edhe “motiv” për t’i “prishur llogaritë”.
Për sfidën e cila do të luhet të premten, pra pas dy ditësh në stadiumin “Loro Boriçi”, klubi shkodran ka zgjedhur të informojë tifozët mbi biletat që janë në shitje. Tribuna VIP shkon në vlerën e 1500 lekëve të rinj, ndërsa ajo A dhe B 1000 lekë të rinj.
Sa i përket tribunës D, një biletë kushton 400 lekë të rinj, ndërsa ato C dhe E, respektivisht 200 lekë të rinj dhe 500 lekë të rinj. Marrë në konsideratë nevojën që ka klubi në këto momente të vështira, edhe prezenca në tribuna e tifozëve shkodranë pritet të jetë e lartë në numër. Po ashtu, edhe tifozeria mike, pra ajo e skuadrës durrsake do të bëjë çmos që ekipi i Edlir Tetovës të marrë mbështetjen që i duhet për këtë transfertë delikate.




