
Klubi i Laçit ka zyrtarizuar afrimin më të ri në merkaton e verës duke prezantuar sulmuesin Kevin Trad.
Futbollisti 19-vjeçar transferohet në kampionatin shqiptar nga futbolli i Libanit. Lojtari shtatlartë prej 1.8 metrash aktivizohet në qendër të sulmit dhe rrit opsionet në repartin e avancuar.
Me mbërritjen e tij, trajneri Qatip Osmani do të ketë një armë më shumë në dispozicion për pjesën e mbetur të edicionit. Trad ka qenë pjesë e skuadrës libaneze Sagesse prej vitit 2023 ku spikati me paraqitjet e tij.
Përmes një komunikate zyrtare, klubi bardhezi njoftoi arritjen e marrëveshjes me talentin e ri. Sulmuesi i ri i është bashkuar menjëherë grupit të lojtarëve në seancat stërvitore nën urdhrat e stafit teknik. Te Laçi i kanë uruar suksese të shumta sulmuesit libanez në aventurën e tij të parë në futbollin shqiptar.




