
Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar kalendarin e plotë të ndeshjeve për javën e gjashtë të Superiores.
Vëmendja kryesore do të jetë te derbi i kryeqytetit Partizani-Tirana, që do të luhet të premten e 9 tetorit në orën 18:30.
Ky duel i shumëpritur midis dy rivalëve do të luhet si zakonisht në stadiumin “Air Albania”. E shtuna e 10 tetorit do të dhurojë dy përballje të tjera interesante që do të luhen paralelisht në orën 18:30.
Vllaznia do të përballet me Dinamon, ndërsa Elbasani do të presë në shtëpi skuadrën e Vorës. Risia e kësaj jave lidhet me sfidën Laçi-Egnatia, e cila do të luhet të dielën më 11 tetor në orën 13:30.
Kjo do të jetë ndeshja e parë për këtë edicion të kampionatit që zhvillohet në këtë fashë orare. Java e gjashtë do të mbyllet mbrëmjen e të dielës me përballjen mes Teutës dhe Skënderbeut në orën 18:30.





