
Humbja 2-1 ndaj Finlandës ka ndaluar çdo lloj progresi që po bënte Shqipëria në renditjen e FIFA-s, duke e kthyer atë pas ndeshjes së të shtunës përsëri në vendin e 67 në këtë klasifikim.
Kuqezinjtë, me fitoret ndaj Bjellorusisë e San Marinos, kishin bërë hapa lart në renditje duke fituar dy pozicione në këtë periudhë. Por me disfatën në Helsinki, situata ka shkuar përsëri në vendnumëro pasi këto dy pozicione janë humbur dhe tashmë kuqezinjtë gjenden në vendin e tyre të “zakonshëm” të këtyre muajve të fundit duke konfirmuar se për momentin nuk ka asnjë progres. Përkundrazi, ekipi vazhdon të bjerë në renditje, pasi e ka nisur vitin në vendin e 63-të dhe tashmë e sheh atë pozicion të përkeqësuar.
Për më tepër, duke llogaritur se ndeshja e fundit e kësaj dritareje luhet me San Marinon që jep shumë pak pikë për renditjen botërore meqë mban pozicionin e fundit në klasifikim, kuqezinjtë rrezikojnë të rrëshqasin edhe më shumë në renditje, duke u parakaluar nga ekipe të tjera që kanë diferencë shumë të vogël pikësh.







