
Klubi i Partizanit ka zyrtarizuar goditjen e radhës, duke afruar mesfushorin ofensiv Sebastjan Spahiu.
26-vjeçari shkodran i është bashkuar “Demave të Kuq” me parametra zero pas eksperiencës së tij te Shkëndija e Tetovës.
Zyrtarizimi i këtij transferimi vjen pikërisht një ditë përpara sfidës derbi ndaj Tiranës, e vlefshme për javën e gjashtë. Spahiu ka firmosur një kontratë dyvjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon në kryeqytet.

Transferimi i mesfushorit u realizua falë ndërmjetësimit dhe angazhimit të ish-sulmuesit të njohur të kuqve, Xhevahir Sukaj. Lojtari u prezantua zyrtarisht nga presidenti Gazment Demi, i cili i uroi mirëseardhjen në familjen e kuqe.
Mesfushori numëron gjithashtu një paraqitje me Kombëtaren shqiptare, ku debutoi në shtator të vitit 2024 nën drejtimin e Silvinjos. Më parë gjatë karrierës së tij, Spahiu ka mbajtur edhe fanellat e Egnatias, Laçit si dhe disa klubeve në Spanjë.



