
Arman Durmishi dhe Enis Rexhepi janë dy nga talentet më premtuese të brezit të vitlindjes 2008, por janë shkëputur prej muajsh nga kombëtaret e moshave.
Të dy sulmuesit ishin pjesë e Shqipërisë U-19 në mars, por mbetën jashtë grumbullimeve të qershorit dhe shtatorit. Mungesa e tyre ka ngritur pikëpyetje, veçanërisht për shkak të formës së shkëlqyer që po kalojnë me klubet e tyre respektive. Durmishi është përfshirë te Juventusi në Ligën e Evropës dhe në ekipin e rezervave, ndërsa Rexhepi po shkëlqen te Shtutgarti dhe në UEFA Youth League.
“Panorama Sport” raporton se të dy lojtarët kanë marrë ftesë zyrtare nga trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi. Megjithatë, përgjigjja e tyre ka qenë negative, pasi të dy sulmuesit e rinj kanë refuzuar grumbullimin me kuqezinjtë.
Për Rexhepin përflitet edhe një kalim i mundshëm te përfaqësuesja e Kosovës, ndërsa e ardhmja e Durmishit me kuqezinjtë mbetet pezull.








