
Teuta vazhdon marshimin në krye të renditjes. Durrsakët regjistruan fitoren e pestë radhazi, pasi mposhtën 2-0 Skënderbeun, në duelin e javës së gjashtë në Superiore.
Skuadra e Edlir Tetovës e nisi në sulm ndeshjen dhe gjeti avantazhin në minutën e 16-të, me Sherif Kallakun që shënoi nga penalltia.
Në minutën e 32-të, ishte Pedro që dyfishoi me kokë, pas një pasigurie të portierit Marco Alia.
Në fraksionin e dytë, Skënderbeu dominoi dhe iu afrua golit në disa raste. Beismark gaboi nga penalltia në minutën e 60-të, ndërsa goli i shënuar nga Zenullari në vazhdim u anulua, pasi kishte hyrë në zonë në momentin e gjuajtjes.
Teuta luajti me 10 lojtarë nga minuta e 74-t, pas ndëshkimit me të kuq të Boçit, por as kjo nuk u shfrytëzua nga korçarët.
Me këtë sukses, Teuta mban kryesimin me 16 pikë, ndërsa Skënderbeu nuk njeh ende fitore dhe mban vendin e parafundit me vetëm 3 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Elbasani u ndal në shtëpi nga Vora, në barazim 1-1. Skuadra verdheblu e nisi ndeshjen shumë mirë, duke kërkuar golin që në fillim.
Në minutën e 22-të, Mazari zhbllokoi takimin, duke i dhënë avantazhin Elbasanit.
Megjithatë, miqtë ia dolën të barazojnë në fund të pjesës së parë me Karricën. Në fraksionin e dytë, rastet ishin të shumta, por asnjëra nga skuadrat nuk shënoi dot golin e fitores.
Me këtë barazim, Elbasani mban vendin e katërt me shtatë pikë, ndërsa Vora renditet e shtata me pesë pikë.




